No video

Rexhep Selimi në Hagë: Nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia

Rexhep Selimi ka mohuar akuzat e Prokurorisë Speciale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai u shpreh se aktakuza është e pabazuar në fakte dhe argumente.
“Nuk kam të bëj me krimet e pretenduara. Jemi këtu përballë një aktakuze që ende vazhdojmë ta konsiderojmë të pabazuar mbi fakte dhe argumente”, tha Selimi.
Selimi u shpreh në Hagë se luftën nuk e zgjodhën, por ajo ishte domosdoshmëri për mbijetesë si komb dhe shoqëri.
“Lufta nuk është e mirë asnjëherë dhe për askënd. Ne luftën nuk do ta zgjidhnim kurrë as si profesion e as si pasion. Ajo ishte domosdoshmëri për mbijetesën si komb dhe si shoqëri. Shtypja vazhdonte kundër popullatës shqiptare në Kosovë. Serbia kreu dhjetëra masakra pa kursyer fëmijë, gra dhe pleq”, tha Selimi.
Ai theksoi se nuk ka frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia. Selimi u shpreh para trupit gjykues besimplotë kur tha se beson që Gjykata Speciale do ta shpallë të pafajshëm dhe ai së bashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së të akuzuar, do të kthehen në Kosovë për të cilën luftuan dhe punuan gjatë gjithë jetës.
“Pas themelimit të kësaj gjykate jo rrallë herë jam pyetur se a kisha frikë nga drejtësia. Gjithmonë kam thënë dhe sot e përsëris. Unë nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë. Pavarësisht kësaj unë qëndroj sot përpara jush me besimin e plotë se në fund të këtij procesi do të vendosni në favor të pafajësisë sime. Siç u tha më herët më duhet të theksoj e të them se dallimet dhe opinionet në politikën mes nesh sidomos në kohë specifike me ndikime të thella politike nuk duhet dhe nuk mund të përdoren si fakte juridike kundër askujt dhe po ashtu kundër ne të bashkëakuzuarve. Në këto çaste që po flasim e po na shohin bashkëkombasit tanë, kam besim se të gjithë së bashku do të nxjerrim të vërtetën dhe unë bashkë me bashkëluftëtarët e mi do të kthehemi në vendin tonë të lirë për të cilin luftuam dhe punuam gjatë gjithë jetës sonë”, tha Selimi.
Selimi tregoi para turpës gjykuese se si në moshën e adoleshencë, shokët e klasës së tij helmoheshin nga forcat serbe.
“Unë siç thashë më lart isha në moshën e adoleshencë kur vijoja arsimet në shkollën e mesme, “Luigj Gurakuqi”. Serbia dhunshëm ia ndërroi emrin shkollës sonë dhe dhunshëm ia hodhi bustin në lumë. Atë vit filluan të helmonin nxënësit e klasës sime. I shihja moshatarët e mi duke vuajtur dhe duke nxjerrë shkumë nga goja nga helmimet misterioze që bënte Serbia”, u shpreh Selimi.
Përballë këtyre fakteve, Selimi tha se zgjodhi t’i bashkohej një familje të madhe, asaj Jashari. Këtu tregoi se në ditën e sulmit ndaj kësaj familjeje ai nuk ndodhej aty, sepse përndryshe do të kishte fatin e të gjithë të tjerëve që ranë heroikisht nga familja Jashari.
“Në vend që t’i bashkohesha familjarëve të mi në mërgim, unë iu bashkova një familje akoma më të madhe. Iu bashkova familjes Jashari në Prekaz. Në ëndrrat e mira të rinisë lashë studimet e letërsisë dhe u bëra pjesë e UÇK. UÇK në atë kohë e kishte emrin ushtri, por nuk numëronte shumë njerëz. Emrin dhe vullnetin e kishim shumë të madh, por njerëz dhe armë kishim shumë pak. Të ishe pjesë e UÇK-së donte të thoshe të ishe armik i Rusisë.
Isha i kërkuar dhe më kërkonin për të më arrestuar ose për të më vrarë. Ndaj meje u publikua një aktakuzë. Nuk mund të qëndroja më në shtëpinë time dhe u detyrova që bashkë me dajën tim më 10 Tetor 1996 të largoheshim nga shtëpitë tona. Prej asaj kohe kryesisht qëndroja me familjen Jashari dhe jo vetëm. Aty qëndroja me Ademin, Shabanin, Hamzën. Aty qëndroja me fëmijët e asaj familje. Këta fëmijë u vranë të gjithë më pas nga një sulm i policisë serbe. Në ditën e sulmit unë nuk ndodhesha aty prandaj edhe jam gjallë, përndryshe edhe unë do ta kisha fatin e atyre që ranë aty në ato tre ditë që siç njihen, tre ditët e epopesë së UÇK”, tha Selimi.
Rexhep Selimi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë. Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë./tvklan.al
#rexhepselimi
SUBSCRIBE to "RTV KLAN" on KZread for more videos!
Për më shumë informacione vizitoni faqen tonë web tvklan.al/kate...
Follow Klan News on Facebook: / klannews
Follow @klannews on Instagram: / tvklannews
#KlanNews #KlanNewsLajme #TvKlan

Пікірлер: 23

    Келесі