Fjala e mbajtur në "Akademinë Solemne" kushtuar shkrimtarit Ismail KADARE, Tiranë, 3 korrik, 2024.

Музыка

👉 Fjala e mbajtur në "Akademinë Solemne" kushtuar shkrimtarit dhe akademikut Ismail KADARE!
Përveçse autoriteti qendror artistik e kulturor i vendit, me veprën e Tij Kadare kishte zgjuar natyrshëm tek unë interesimin mbi lidhje të mundshme të saj me muzikën. Për këtë shkrova fillimisht një kapitull në librin “Muzika dhe letërsia” me titullin “Projekt për një “Music guide” nga vepra letrare e Ismail Kadaresë”, që u botua nga SHB “Onufri”, në vitin 1997, edhe pse për disa u duk e çuditshme të shkruhej për një marrëdhenie të tillë. Shumë vite me pas, më 2019 u thellova në këtë subjekt dhe shkrova librin “Kadare dhe muzika”, ku besoj se kjo marrëdhënie komplekse e natyrës polifonike mes tyre shtjellohet në shumë plane. Vetë Kadare në një intervistë të dhënë pas botimit tha se: … më është hapur nami që Kadareja nuk e do muzikën. Nuk është hiç fare e vërtetë. Në mënyrën time të të shkruarit, e kam ditur intuitivisht, por ma kanë thënë specialistë të muzikës që, përdor shpesh atë zhdrivillim, që quhet, atë procedim që përdor muzika, me lejtmotivet që shfaqen, që zbehen, që ridalin, që ulen, që ngirhen. Siç duket eshtë një dukuri tautologjike e artit, tek të gjitha artet.
Pesha dhe rëndësia e veprës letrare të Ismail Kadaresë ndikoi së tepërmi tek muzika skenike, opera dhe baletet shqiptare të pas Luftës II Botërore e posaçërisht tek ajo që konsiderohet si muzikë me program. Dy emrat më të rëndësishëm të traditës së muzikës shqiptare, kompozitorët Çesk Zadeja (1927-1997) dhe Feim Ibrahimi (1935-1997) u përfshinë në kompozimin e dy veprave të rëndësishme skenike mbështetur mbi veprën letrare të Ismail Kadaresë. I pari për kompozimin e operës “Dasma” me libret të Kujtim Spahivoglit, dhe i dyti për kompozimin e baletit “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, mbështetur mbi libretin e shkruar nga vetë Ismail Kadare. Një tjetër opera, “Eumenidet” e kompozuar prej meje u mbështet në tragjedinë e Eskilit me përkthimin në shqip të Ismail Kadaresë. Sipas Kadarese: …në shqip mund të përkthehet çdo gjë, qoftë edhe teksti më i ndërlikuar. Për të bërë një provë, një sfidë do ta quaja, kam përkthyer një prej triologjive të Eskilit, Orestian. Duke qenë se nuk e njihja greqishten e vjetër, kam përdorur dy-tri gjuhë, madje edhe literal nga origjinali. Dhe, më duket se ia kam dalë. Shqipja ka mundësi të pazakonta në përkthim, mundësi të cilat jo të gjitha gjuhët i kanë. Regjisor i operës, ishte personaliteti me origjinë greke me banim në Paris, Yiannis Kokkos i cili shfaqte një respekt të madh për z. Kadare. Opinionin e tij për të pata rastin t’ia transmetoja z. Kadare i cili më dha në një nga takimet tona, librin e tij mbi Eskilin në gjuhën frënge me dedikim për të.
Kadare ka folur gjithherë me respekt për krijues shqiptarë që bënin art të vërtetë: …ne e dinim se lexuesit shqiptarë, ata që jetonin aq varfërisht e në trishtim, merrnin herë pas here ushqim shpirtëror të klasit të lartë, njëlloj si berlinezët, njëlloj si parizienët. Nuk ishte vetëm letërsia. Ishte edhe Çabej, i konsideruar prej tij si shkencëtari më i madh shqiptar i të gjitha kohërave dhe ndër më të mëdhenjtë e Europës, ishin edhe Lasgush Poradeci, Dhimitër Pasko, Vedat Kokona, Skënder Luarasi, Abdurrahim Buza, Odhise Paskali, Prenk Jakova, Çesk Zadejam "të gjithë të pranishëm në ndërgjegjen tonë, qoftë me artin, qoftë me vetminë e tyre”.
Vepra letrare e Kadaresë ka frymëzuar me dhjetra krijime muzikore dhe jo vetëm, të shkruara nga kompozitorët shqiptarë.
Arti i Kadaresë ka tërhequr dhe do të tërheqë krijuesit e arteve të tjera pasi arti i tij është komplementar dhe shumështresor, ashtu si kënga polifonike e popullit që ai e donte aq shumë. Se te shtresat dhe përbërësit strukturorë të kësaj tradite, ai gjeti larminë kulturore të njerëzve dhe të botës, se këtë larmi nuk mund ta perceptosh dot e veç e veç përmes fjalës, tingullit ose lëvizjes, as si individ i shkëputur, por vetëm si artist, pjesë e grupit, e së tërës.
Në vitin 2018, propozova pranë Kryesisë së Akademisë së Shkencave që akademiku dhe shkrimtari më i madh shqiptar Ismail Kadare të ishte kandidati për çmimin e “Karrierës Akademike” për vitin 2017, çmimi më i lartë që jep Akademia e Shkencave e Shqipërisë për personalitetet e artit, shkencës dhe kulturës. Ditën që dhamë çmimin, në prezencë të z. Kadare, më 14 qershor 2018, në Akademinë e Shkencave, thashë se i përkas atij brezi të cilit për të lexuar librat tuaj mbanin radhë të gjata pranë librarisë së vetme të qytetit, aty ku radha e njerëzve që prisnin ishte më e gjatë se te radhët e bukës apo tek ushqimet e tjera. Kjo sepse krijimtaria e Kadaresë ishte dhe mbetet “buka” jonë shpirtërore, e cila ushqente dhe ushqen imagjinatën, shtynte dhe shtyn, zgjeronte dhe riformatonte përmasat e munguara të lirisë individuale të çdo shqiptari.
E tillë ishte, e tillë është dhe do të jetë!
E përjetshme vepra dhe kujtimi i Tij!
Tiranë, 3 korrik 2024

Пікірлер

    Келесі